Arrestohet një shtetas gjerman në Kosovë, kapen 43 armë automatike në automjetin e tij

Arrestohet një shtetas gjerman në Kosovë, kapen 43 armë automatike në automjetin e tij

Një shtetas gjerman është arrestuar në rajonin e Gjilanit, nën dyshimin për përfshirje në aktivitete kriminale që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e paligjshëm të armëve.

Operacioni është zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, pas hetimeve të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Sipas njoftimit zyrtar, pas ndalimit të të dyshuarit, automjeti me të cilin ai po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të detajuar. Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar plot 43 armë të gjata automatike.

I arrestuari, me inicialet L.S., është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Ai dyshohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për importim, transportim dhe shitje të paautorizuar të armëve.

Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria Speciale po vazhdojnë hetimet për të zbuluar prejardhjen e armëve dhe destinacionin e tyre.

Institucionet kanë bërë të ditur se publiku do të njoftohet për zhvillimet e tjera të rastit, duke respektuar integritetin e hetimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *