Zvonko Veselinoviq ik drejt Turqisë në kohën e arrestimeve në Serbi
Biznesmeni kontrovers nga Kosova, Zvonko Veselinoviq, është larguar këtë mëngjes drejt Turqisë, në një kohë kur në Serbi po zhvillohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm të Aleksandar Vuçiqit.
Sipas raportimit të mediave serbe, përcjell preshevacom, Veselinoviq ka udhëtuar me një fluturim të hershëm nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportën serbe.
Veselinoviq konsiderohet një nga personat me ndikim në Serbi dhe se, sipas mesazheve të publikuara më herët nga aplikacioni Sky, ai kishte lidhje të afërta me njerëz të pushtetit të mëparshëm, përfshirë Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb.
Në raportet e policisë dhe shërbimeve të sigurisë serbe, Veselinoviq është përmendur si një nga figurat kryesore të një grupi të dyshuar për kontrabandë droge, armësh dhe nafte, fajde dhe pastrim parash.
Ai është përballur ndër vite me disa procedura penale në Serbi, përfshirë dyshime për trafik droge, vjedhje kamionësh dhe nxjerrje të paligjshme të rërës e zhavorrit. Shumica e këtyre proceseve kanë përfunduar me vendime lirimi.
Kujtojmë se në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara e vendosën Veselinoviqin në listën e sanksioneve, duke e lidhur me një rrjet të dyshuar të krimit të organizuar dhe korrupsionit.