Nga vrasja brutale e bashkëshortes në Zvicër te dyshimi për vrasjen në Suharekë, historia e Rrahman Hotit

Nga vrasja brutale e bashkëshortes në Zvicër te dyshimi për vrasjen në Suharekë, historia e Rrahman Hotit

Rrahman Hoti, rreth 60-vjeçar, i arrestuar sot nën dyshimin për vrasjen e Sylë Dakajt në Suharekë, rezulton të jetë përmendur edhe më herët në mediat zvicerane për një rast të rëndë kriminal.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane, në vitin 2011, një shtetas kosovar me inicialet Rrahman H. ishte dënuar me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij në St. Gallen të Zvicrës.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 8 nëntor 2011, pranë vendit të punës së gruas, me të cilën ai jetonte i ndarë.

Sipas raportimeve të asaj kohe, ai e kishte goditur bashkëshorten me veturë, ndërsa më pas kishte marrë nga bagazhi një shufër hekuri dhe e kishte goditur disa herë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Gjatë largimit, kishte kërcënuar edhe një punëtor të rrugës që kishte tentuar t’i ofronte ndihmë viktimës.

Gjatë procesit gjyqësor, gjykata e kishte cilësuar krimin si jashtëzakonisht brutal dhe të planifikuar, me motiv të lidhur me zemërimin dhe hakmarrjen, pasi gruaja kishte refuzuar të kthehej tek ai dhe kishte nisur një lidhje të re.

Në maj të vitit 2013, Gjykata e Rrethit në St. Gallen e kishte dënuar me 19 vjet burgim, vendim që ishte konfirmuar edhe një vit më vonë nga Gjykata e Kantonit.

Dy fëmijët e çiftit ishin kompensuar me nga 35 mijë franga zvicerane. Sipas avokatit të tyre, ata kishin kërkuar që babai i tyre të qëndronte sa më gjatë në burg.

Ndërkohë, emri i Rrahman Hotit është rikthyer sot në vëmendje pas ngjarjes së rëndë në Suharekë, ku mbeti i vrarë Sylë Dakaj.

Sipas informacioneve të para, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti për një parking. Dakaj ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit pa shenja jete, ndërsa përpjekjet e mjekëve për reanimim nuk kishin dhënë rezultat.

Policia e Kosovës ka arrestuar Rrahman Hotin, nën dyshimin për përfshirje në këtë vrasje. Hetimet për rastin po vazhdojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *