Vrau një vëlla, tjetrin tentoi ta vriste – Supremja ia konfirmon 19 vjet burg Fitim Vatovcit
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Fitim Vatovcit për mbrojtje të ligjshmërisë, duke lënë në fuqi dënimin prej 19 vjetësh burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas aktgjykimit, Vatovci kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve, duke vrarë njërin dhe duke e plagosur rëndë tjetrin, në tentim për ta vrarë.
Mbrojtja kishte pretenduar se ai kishte vepruar në vetëmbrojtje, por Supremja i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke vlerësuar se provat nuk dëshmojnë se Vatovci ishte sulmuar nga viktimat.
Ekspertiza forenzike kishte konstatuar se gëzhojat dhe predhat e gjetura në vendin e ngjarjes dhe në trupin e viktimës i përkisnin të njëjtës armë, të cilën e kishte përdorur Vatovci.
Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe një vit e gjashtë muaj për armëmbajtje pa leje, duke shqiptuar dënim unik prej 19 vjetësh. Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Me vendimin e fundit, Supremja ka mbyllur rrugën e kërkuar nga mbrojtja për anulimin e aktgjykimeve dhe rigjykimin e rastit.