“ Dashuria është dritë e padukshme që shëron dhe lumturon çdo gjë në Univers “-
Dr. Sci. Vlora Obertinca
Thuhet se kjo jetë u takon njerëzve të guximshëm dhe jo qyqarëve, ose thënë ndryshe, kjo jetë u takon njerëzve të guximshëm, që e kuptojnë se kanë vetëm një jetë për të jetuar në formë fizike, sepse ne jemi qenie shpirtërore që jetojmë në trupin e njeriut dhe në këtë trup, në këtë kohë, në këtë moment, nuk kthehemi më dhe, kur ikim nga kjo jetë, marrim me vete vetëm ato kujtime që janë më të bukura, që realisht janë kujtime që i kemi përjetuar, kur e kemi dëgjuar thirrjen e shpirtit, që të jetojmë në hap me pasionet e shpirtit tonë, momente që mund t’i numërojmë me gishta, sa të pakta janë ato.
Secili nga ne duhet të ndjek pasionin e jetës – që do të thotë të bëjmë çdo gjë që na bënë të lumtur duke u nisur nga kafeja e mëngjesit, puna, pushimet si dhe takimet me njerëz të zemrës. Kjo sepse, çdo punë që bëhet me dëshirë dhe vullnet përcillet në ndërdije me dritën e dashurisë e cila e përjeton frekuencën e saj më të lartë nëpërmjet pasionit, që në fakt është njëkohësisht edhe lumturimi i shpirtit tonë.
Të dashurit e mi, organizoni çdo ditë duke bërë atë që e do shpirti juaj sepse, kur e do shpirti, e do edhe zemra, e kur e do zemra e do edhe trupi, e kur e do trupi e do edhe mendja, e me këtë realizohet jeta jonë e lumtur në baza ditore.