Dhjetë vjet më parë, një të shtunë pasdite, morëm lajmin e rëndë se shoku ynë, Astrit Dehari, nuk ishte më në mesin tonë.
Sot, në dhjetëvjetorin e asaj dite, vizituam familjen Dehari dhe më pas, bashkë me ta dhe me shokë e shoqe aktivistë, bëmë homazhe dhe vendosëm lule te varri i tij.
Astriti ishte aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe student shembullor i mjekësisë. Një i ri guximtar dhe idealist, me përkushtim të sinqertë politik, që angazhimin e tij e shihte si mënyrë për t’u qëndruar pranë njerëzve, sidomos të varfërve, punëtorëve dhe atyre që shteti i kishte lënë në harresë. Sot do të ishte mjek dhe jam e bindur se do të ishte po aq pranë tyre sa ishte edhe atëherë.
Rruga që ai zgjodhi, rruga e drejtësisë dhe e dinjitetit për popullin tonë, është rruga që vazhdojmë ta ndjekim edhe sot.
Dhjetë vjet më vonë, bashkë me familjen e tij, me gjithë shoqërinë dhe qytetarët e Republikës, ende presim drejtësi për vrasjen e tij në burgun e Prizrenit.
Ne që e njohëm e kujtojmë ashtu siç ishte, me buzëqeshjen, guximin dhe idealet e tij.
Drejtësinë për të do ta kërkojmë deri në fund.
Lavdi jetës dhe veprës së Astritit!