Kanë kaluar 15 vjet, gjashtë muaj e 12 ditë nga vrasja e Diana Kastratit, ndërsa nëna e saj, Makfire Kastrati, ka publikuar një mesazh prekës, duke kujtuar të bijën dhe duke shprehur dhimbjen për humbjen e saj.
Në një postim në Facebook, ajo ka rikthyer edhe një herë vëmendjen te mosveprimi i institucioneve për ta mbrojtur Dianën, e cila, rreth një muaj para se të vritej, kishte kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente nga gjykata.
“15 vjet e 6 muaj e 12 ditë pa vajzën time Diana. 15 vite nuk u bë e mundur ta ndalonte shteti vrasësin, të cilit Diana i kërkoi urdhër mbrojtjeje, por ai as që veproi për ta mbrojtur dhe e neglizhoi”, ka shkruar ajo.
“Emri yt nuk harrohet kurrë, zemra e nënës, Diana, deri sa të më mbulojë dheu”, ka përfunduar ajo mesazhin.
Ndërkohë, rasti i vrasjes së Diana Kastratit ka marrë një zhvillim të ri në drejtësi. Pas 15 vjetësh nga krimi dhe tri vjetësh nga ngritja e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që gjykimi ndaj Adnan Jasharit të zhvillohet në mungesë, pasi institucionet nuk kanë arritur ta sigurojnë praninë e tij, shkruan Sinjali.Jashari dyshohet se në maj të vitit 2011, në Prishtinë, e kishte vrarë me armë zjarri ish-partneren e tij, Dianën. Sipas aktakuzës, ai e kishte qëlluar dy herë, duke e goditur në qafë.
Diana ishte vrarë më 18 maj 2011, vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga Gjykata Komunale në Prishtinë, pas kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës. Sipas të dhënave të publikuara për rastin, kërkesa nuk ishte trajtuar brenda afatit ligjor prej 24 orësh.
Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje të së drejtës për jetë të Diana Kastratit, si pasojë e mosveprimit të gjykatës. Ndërsa, në shkurt të vitit 2023, Gjykata e Apelit kishte vendosur që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria t’u paguanin prindërve të saj 30 mijë euro dëmshpërblim.
Seanca fillestare ndaj Adnan Jasharit pritet të mbahet gjatë këtij muaji, ndërsa gjykata i ka bërë thirrje të dorëzohet dhe të paraqitet para saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!