Vrasja e Enver Hadrit, pas 36 vjetësh drejtësia belge liron nga akuzat Andrija Drashkoviqin, konfirmon përfshirjen e shërbimeve sekrete jugosllave
Drejtësia belge ka liruar nga akuzat 61-vjeçarin serb Andrija Drashkoviq, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e veprimtarit të shquar shqiptar Enver Hadri, në vitin 1990 në Bruksel.
Pas më shumë se dhjetë orësh diskutime, juria ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të dëshmuar përgjegjësinë penale të Drashkoviqit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Megjithatë, drejtësia belge ka konstatuar se vrasja e veprimtarit shqiptar ishte organizuar me urdhër të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë, në bashkëpunim me një grup kriminal nga Beogradi.
Enver Hadri ishte një nga veprimtarët shqiptarë që punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe denoncimin e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve nga regjimi jugosllav.
Ai u vra më 25 shkurt 1990 në Bruksel. Në atë periudhë, Hadri po përgatitej t’i dorëzonte Parlamentit Evropian dokumentacion mbi vrasjen e shqiptarëve gjatë demonstratave në Kosovë.
Edhe pas 36 vjetësh, çështja e përgjegjësisë individuale për vrasjen e veprimtarit shqiptar vazhdon të mbetet e pazgjidhur plotësisht.
Burimi: Gazeta Sinjali
/INSAJDERI/