Konjufca nis ofensivën diplomatike për krimet e Serbisë në Kosovë, e vërteta e luftës do të prezantohet para botës!
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi që synon fuqizimin e përpjekjeve për dokumentimin dhe prezantimin ndërkombëtar të krimeve të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, marrëveshja parasheh bashkërendimin e aktiviteteve ndërmjet dy institucioneve, me qëllim që dëshmitë, hulumtimet dhe publikimet për krimet e luftës të arrijnë te institucionet dhe opinioni ndërkombëtar.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces do ta ketë edhe rrjeti diplomatik dhe konsullor i Kosovës, i cili do të angazhohet në promovimin e dokumenteve dhe dëshmive, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe forcimin e bashkëpunimit me organizata e institucione ndërkombëtare.
Nga MPJD theksojnë se ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm në luftën kundër mohimit dhe relativizimit të krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.
Përmes kësaj marrëveshjeje, institucionet synojnë që faktet dhe dëshmitë për krimet e luftës të marrin vëmendje më të madhe ndërkombëtare, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe kërkimin e drejtësisë për viktimat.
Ministria e Punëve të Jashtme ka ritheksuar përkushtimin që e vërteta për luftën në Kosovë dhe krimet e kryera nga forcat serbe të njihet sa më gjerësisht në botë.