Astrit Iseni me mesazh të fortë nga konferenca për sigurinë në Ballkan: Kërcënimet nuk njohin kufij, siguria kërkon veprim të përbashkët!
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka marrë pjesë sot në konferencën „Siguria në Ballkanin Perëndimor“, ku ka përcjellë mesazhe të rëndësishme lidhur me sfidat e sigurisë dhe nevojën për bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet vendeve të rajonit.
Gjatë fjalimit të tij në sesionin kushtuar mbrojtjes së infrastrukturës kritike, Iseni ka theksuar rëndësinë e sigurisë së sistemeve të transportit, energjetikës dhe komunikimit, në një kohë kur kërcënimet kibernetike, sabotazhet, terrorizmi dhe rreziqet hibride po bëhen gjithnjë e më të pranishme.
Sipas zëvendësministrit, mbrojtja e infrastrukturës kritike nuk është vetëm çështje e sigurisë së një shteti, por një përgjegjësi e përbashkët që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ai ka nënvizuar nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale, avancimin e sigurisë kibernetike, identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve, si dhe krijimin e mekanizmave efikas për paralajmërim të hershëm dhe reagim të koordinuar.
“Kërcënimet moderne nuk njohin kufij”, është mesazhi që Iseni ka përcjellë, duke theksuar se asnjë shtet nuk mund t’u përgjigjet i vetëm sfidave të reja të sigurisë.
Në këtë drejtim, ai ka vlerësuar si thelbësor bashkëpunimin rajonal, shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave ndërmjet institucioneve, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrja e zëvendësministrit Astrit Iseni në këtë konferencë vjen në kuadër të diskutimeve për forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë institucionale dhe përballimin e kërcënimeve bashkëkohore në Ballkanin Perëndimor.