Izet Mexhiti sot në Preshevë, Çairi pajis me kabinet modern të informatikës shkollën shqipe: Mbështetja për shqiptarët dëshmohet me vepra!

Izet Mexhiti sot në Preshevë, Çairi pajis me kabinet modern të informatikës shkollën shqipe: Mbështetja për shqiptarët dëshmohet me vepra!

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka qëndruar sot për vizitë në Preshevë, ku ka parë nga afër rezultatet e donacionit të Komunës së Çairit për Shkollën Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”.

Përmes këtij donacioni, shkolla është pajisur me një kabinet modern të informatikës, duke krijuar kushte më të mira për mësim dhe mundësi të reja për nxënësit shqiptarë të Preshevës.

Gjatë vizitës, Mexhiti ka theksuar se mbështetja për shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata, por të dëshmohet përmes projekteve dhe investimeve konkrete, veçanërisht në arsim.

“Besoj se investimi në arsim, dije dhe teknologji është investim në të ardhmen e gjeneratave të reja”, ka deklaruar Mexhiti.

Ai ka nënvizuar se solidariteti me shqiptarët e Preshevës është një përgjegjësi e përbashkët, ndërsa Komuna e Çairit, përmes këtij projekti, synon të kontribuojë në përmirësimin e kushteve arsimore për nxënësit.

“Për mua, solidariteti me shqiptarët e Preshevës nuk është vetëm fjalë, por përgjegjësi që dëshmohet me vepra konkrete”, është shprehur kryetari i Çairit.

Kabineti i ri i informatikës, i siguruar falë mbështetjes së mëhershme të Komunës së Çairit, do t’u mundësojë nxënësve qasje më të mirë në teknologji dhe zhvillimin e aftësive digjitale.

Në fund, Mexhiti ka përcjellë mesazhin se lidhjet ndërmjet Çairit dhe Preshevës duhet të vazhdojnë të forcohen përmes bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë.

“Çairi pranë Preshevës, sepse bashkëpunimi dhe solidariteti na bashkojnë!”, ka përfunduar Mexhiti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *