Revolucion në pagesat bankare në Kosovë, paratë do të transferohen brenda sekondave, 24 orë në ditë!
Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit të sistemit financiar. Të premten është lansuar sistemi i pagesave të shpejta, i cili do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë transfere bankare brenda pak sekondave, pa marrë parasysh orarin e punës apo ditët e pushimit.
Në ceremoninë e organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e vlerësoi këtë projekt si një arritje të rëndësishme drejt modernizimit të shërbimeve bankare dhe afrimit të Kosovës me standardet evropiane.
Me sistemin e ri, qytetarët nuk do të kenë më nevojë të presin hapjen e bankave për të realizuar transfere. Pagesat do të mund të kryhen 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat.
Ky ndryshim pritet të sjellë përfitime të mëdha edhe për bizneset, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë të parave, lehtësim të transaksioneve dhe ulje të kostove.
Kryeministri Kurti theksoi se projekti është një tjetër hap drejt integrimit të Kosovës në sistemin financiar evropian, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në SEPA, hapësirën e përbashkët evropiane të pagesave në euro.
Sipas njoftimit të BQK-së, sistemi do të nisë funksionimin më 23 nëntor në katër banka komerciale, ndërsa nga muaji shkurt pritet të përfshijë të gjitha bankat që operojnë në Kosovë.
Për realizimin e këtij projekti, Kurti falënderoi Bankën Botërore, Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore të Kosovës.