GRUAJA, JETA, LIRIA – Deri kur do t’i numërojmë viktimat e femicidit?

GRUAJA, JETA, LIRIA – Deri kur do t’i numërojmë viktimat e femicidit?

Kolumnë – Irena Mulachka

17-vjeçarja Biljana Kirik nga Bogdanci, rreth dhjetë ditë më parë u gjet e vdekur në një veturë të djegur. Ajo ishte vrarë nga ish-i dashuri i saj, i cili më pas kreu vetëvrasje. E vrarë dhe më pas e djegur. E tmerrshme, e dhimbshme, rrëqethëse…

Edhe një jetë e re e shuar para kohe, edhe një femicid, edhe një vajzë e pambrojtur, vetëm 17-vjeçare, e cila në lulëzimin e rinisë përfundoi e vdekur nga duart e personit me të cilin më parë kishte qenë në lidhje dhe prej të cilit muajt e fundit kishte kërkuar vazhdimisht shpëtim, por edhe nga institucionet dhe sistemi.

Ku ishin ata kur vajza kërkonte ndihmë? Ajo kishte raportuar kërcënime dhe kishte frikë se jeta e saj ishte në rrezik. Pse reagojmë gjithmonë vetëm kur bëhet tepër vonë, nëse reagojmë fare? Vajza, imagjinoni, vajza vetëm 17-vjeçare po humbin jetën sepse sistemi nuk i mbrojti. Mjaft më me numërimin e femicideve! Mjaft më që institucionet të zgjohen vetëm atëherë kur nuk ka më kë të shpëtojnë. Por më e tmerrshmja është se ato as që janë zgjuar.

Një fund tragjik i një jete të re, edhe një familje e shkatërruar, femicidi i shtatë që nga fillimi i këtij viti, dhe e gjithë kjo kalon sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Edhe kjo vdekje tragjike e një vajze të re shkaktoi reagime të shumta në opinion. Gratë u ngritën në protesta, por sistemi, ashtu siç është ndërtuar, nuk lëviz nga vendi. Deri kur kështu? Deri kur gratë do të jenë viktima të dhunës së burrave? Deri kur, në shekullin XXI, do të vazhdojmë të numërojmë viktimat e femicidit, për të cilat shteti dhe pushteti nuk ndërmarrin absolutisht asgjë?

Të gjithëve na mundon e njëjta pyetje, apo jo? Ne nuk ndihemi të sigurt në shtetin tonë.

Buletinet e policisë çdo ditë mbushen me denoncime për dhunë në familje. Gratë e rrahura janë gjithandej, ndërsa shteti nuk ka asnjë ligj për t’i mbrojtur ato. Ndodh që ndonjëri nga dhunuesit familjarë të përfundojë vetëm tetë ditë pas grilave të burgut dhe kaq. Fund, problemin e kemi zgjidhur!

Por çfarë ndodh pas atyre tetë ditëve, kur ai del nga burgu? Do ta rrahë sërish, madje mund edhe ta vrasë. Edhe sa emra duhet të mësojmë që institucionet të marrin përgjegjësi? E rëndësishme është që ne të merremi me politikën e lartë.

Kudo që të kthehesh, gjithçka është e kalbur dhe e zymtë. Vetëm për kryeministrin Hristijan Mickoski dhe qeverinë e tij ka lindur një ditë e ndritur. Gjithçka është bukur, shteti po lulëzon, jemi fuqia e tretë ekonomike në botë, reformat po japin rezultate…

Ajo që po lulëzon janë krimi dhe korrupsioni, për të tjerat vështirë. Nuk kemi shumë arsye të mburremi as me raportin e fundit të Komisionit Evropian, por vetëm kreut të parë të qeverisë i duket se ai është i mirë, ose ndoshta vetëm kështu mundohet ta ngushëllojë veten.

Në një shtet ku gjithçka po shkatërrohet, Mickoski nuk ndalet së lavdëruari veten, ndërsa në realitet ne jemi për t’u mëshiruar. Le t’i lëmë të gjitha këto anash, ndërkohë kryeministri ynë është ekspert për çdo fushë. Në fakt, ai di gjithçka. Një ditë ul çmimin e naftës, ditën tjetër zgjidh hetime, ditën e tretë bëhet rregullator, ditën e katërt profesor. Sipas nevojës.

Por ja që edhe ne jemi mosmirënjohës, apo jo? Njeriu po bën gjithçka vetëm që në shtet të vazhdojë të rrjedhë mjaltë e qumësht.

Mjaft më me shaka! Është koha të kthehemi pak në realitet dhe ta pranojmë se jemi një shtet jofunksional, me sistem jofunksional, që po shpërbëhet në të gjitha anët.

Gjendja ka shkuar deri aty sa një tufë lopësh ka pushtuar tërë Kriva Pallankën. Paramendoni, prej vitesh nuk arrijmë ta fitojmë as betejën me lopët, të cilat e kanë pushtuar qytetin dhe shkaktojnë dëme në çdo hap, e lëre më të zgjidhim ndonjë problem më të madh.

Populli i shkretë ka shpërthyer në lot, kërkohet shpallja e gjendjes së krizës për 30 ditë, por ndërkohë lopët e Misicës e kanë pushtuar Pallankën dhe nuk ka shpëtim prej tyre. Ja, deri këtu kemi arritur. Po të mos ishte e dhimbshme, do të ishte për të qeshur.

Mjerë ky popull me një pushtet të tillë, me një sistem të rrënuar dhe institucione të shkatërruara e të korruptuara.

Megjithatë, më e tmerrshmja është se ne do të vazhdojmë t’i numërojmë viktimat dhe të bëjmë sikur kemi shtet, ndërsa nga shteti nuk kemi as SH.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *