Pikërisht në 4 vjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëshortit tim në një aksident rrugor, sot pata nderin të jem pjesë e lansimit të fushatës rajonale “A Moment for Life – Një çast vlen një jetë”, të iniciuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit.
Për mua, kjo ditë dhe kjo fushatë kanë një domethënie të veçantë, përtej përgjegjësisë sime institucionale.
Humbja e një jete në trafik nuk është vetëm një statistikë, por një dhimbje që prek familje të tëra dhe që lë pasoja të pashlyeshme. Prandaj, çdo përpjekje për të parandaluar aksidentet dhe për të shpëtuar jetë ka një rëndësi të jashtëzakonshme.
Së bashku me drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, z. Tālis Linkaits, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, z. Astrit Iseni, dhe udhëheqësen e Departamentit për Çështje të Trafikut pranë MPB-së, znj. Maja Arsovska-Manov, morëm pjesë në lansimin e fushatës, e cila u pasua me një aktivitet sensibilizues në terren. Me këtë rast, drejtuesve të automjeteve dhe pjesëmarrësve në trafik iu shpërndanë fletushka dhe broshura informuese, me qëllim ndërgjegjësimin për rëndësinë e vendosjes së rripave të sigurimit, përdorimit të pajisjeve mbrojtëse dhe respektimit të rregullave të komunikacionit.
Si Ministri e Transportit, mbetemi të përkushtuar në krijimin e një infrastrukture rrugore më të sigurt, përmirësimin e standardeve të sigurisë dhe zhvillimin e politikave që mbrojnë të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Por siguria rrugore kërkon edhe përgjegjësi individuale, kujdes dhe kulturë në komunikacion.
Asnjë udhëtim nuk është aq urgjent sa të rrezikojë jetën.
Një rrip sigurimi, një helmetë apo një moment më shumë kujdes mund të bëjnë dallimin mes jetës dhe tragjedisë.