Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin se i ka shkaktuar dëme financiare në vlerë prej dhjetëra milionë dinarësh ndërmarrjes publike “Beogradske elektrane” (Centralet Energjetike të Beogradit), gjatë kohës sa ishte drejtor i saj.
Sipas raportimeve të mediave serbe, Basta dyshohet se kishte autorizuar dhënie të mjeteve financiare pa mbështetje të arsyeshme për disa klube sportive, përfshirë klube më të vogla të futbollit dhe basketbollit, si dhe një klub të sporteve me kuaj.
Ndërkohë, pjesëtarë të Shërbimit Kundër Korrupsionit janë duke kryer arrestime dhe kontrolle në disa lokacione. Në kuadër të këtij rasti, në paraburgim po merren edhe disa persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me Bastën, transmeton Telegrafi.
Rade Basta ka shërbyer si ministër i Ekonomisë në Serbi nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra.Ai u largua nga posti pasi i bëri thirrje Qeverisë serbe që “të deklarohet urgjentisht lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës”. Pas largimit nga detyra, Basta themeloi lëvizjen “Rruga Evropiane”.Në kohën kur ishte emëruar ministër, ai ishte anëtar i partisë “Serbia e Bashkuar” (Jedinstvena Srbija). Kjo parti më vonë kërkoi largimin e tij nga të gjitha postet partiake dhe publike për të cilat e kishte propozuar, duke iu referuar qëndrimeve të tij për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!