Murati prezanton buxhetin 2027 në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, Lushtaku e kritikon për investimet kapitale

Murati prezanton buxhetin 2027 në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, Lushtaku e kritikon për investimet kapitale

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar Projektbuxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh.

Gjatë prezantimit në shqyrtimin e parë para anëtarëve të komisionit, Murati tha se projektbuxheti është hartuar duke u bazuar në pritjet për rritje ekonomike, rritjen e të hyrave buxhetore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.

Sipas ministrit, të hyrat buxhetore për vitin 2027 parashihen të arrijnë në rreth 4 miliardë e 2 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve do të mbulohet përmes financimit të deficitit, i cili është paraparë të jetë 2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Murati bëri të ditur se PBB-ja e Kosovës për vitin e ardhshëm vlerësohet në 13.3 miliardë euro, ndërsa nevoja për financim arrin në 266 milionë euro.

Sa i përket ndarjeve buxhetore, për paga dhe shtesa janë planifikuar 1 miliard e 84.9 milionë euro, për mallra dhe shërbime 588 milionë euro, ndërsa për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro.

Për investime kapitale janë paraparë 1 miliard e 70 milionë euro, për interesin e borxhit publik 55 milionë euro, ndërsa për rezervën rrjedhëse 11.9 milionë euro.

Ministri theksoi se një nga veçoritë e buxhetit të vitit 2027 është se investimet kapitale nuk do të financohen më përmes klauzolave të veçanta të investimeve, por do të përfshihen tërësisht në kuadër të rregullës fiskale dhe deficitit të paraparë prej 2 për qind.

Lushtaku kritikon Qeverinë për investimet kapitale

Pas prezantimit të projektbuxhetit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka ngritur një sërë kritikash lidhur me planifikimin dhe realizimin e investimeve kapitale.

Ai tha se Qeveria vazhdimisht ka planifikuar shuma të mëdha për investime, por sipas tij, realizimi i tyre ka mbetur në nivel të ulët.

Lushtaku iu referua edhe raportit të Institutit GAP për periudhën 2021-2024, ku sipas tij, mbi një miliard euro nga investimet e planifikuara nuk janë shpenzuar.

Sipas deputetit të PDK-së, kjo situatë ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, të cilët përballen me mungesë të rrugëve, urave, shkollave dhe projekteve të tjera infrastrukturore.

Ai theksoi se rritja e vlerës së përgjithshme të buxhetit nuk nënkupton automatikisht përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, sidomos duke marrë parasysh inflacionin dhe rritjen e kostos së jetesës.

Lushtaku ngriti shqetësime edhe për mbështetjen e fermerëve, duke thënë se subvencionet e planifikuara nuk po shpërndahen me kohë. Ai kërkoi që pagesat të realizohen me këste, në mënyrë që fermerët të kenë mbështetje financiare që në fillim të sezonit bujqësor.

Një tjetër çështje që ai ngriti ishte numri i projekteve të planifikuara me zero euro. Sipas tij, në projektbuxhet figurojnë rreth 65 projekte pa ndarje financiare, ndërsa disa projekte të reja kanë vetëm nga një milion euro të planifikuara për vitet 2028 dhe 2029.

Murati i përgjigjet kritikave

Në përgjigje të deputetit Lushtaku, ministri Hekuran Murati tha se mosrealizimi i plotë i investimeve kapitale është një problem që, sipas tij, është shfaqur edhe në qeveritë e kaluara dhe nuk lidhet vetëm me vitet e fundit.

Ai theksoi se pengesat kryesore kanë të bëjnë me kapacitetet zbatuese të ministrive të linjës, komunave dhe procedurat administrative, të cilat shpeshherë e vështirësojnë realizimin e projekteve brenda afateve të planifikuara.

Megjithatë, Murati pretendoi se në ekzekutimin e investimeve kapitale është vërejtur përmirësim i trendit.

Sa i përket inflacionit dhe shtrenjtimit të jetesës, ministri tha se kjo është një sfidë që po prek edhe vendet e tjera të botës. Ai përmendi luftën në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit në Gjirin Persik si faktorë që kanë ndikuar në rritjen globale të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.

Në fund, Murati kërkoi që Projektligji për Buxhetin e vitit 2027 të procedohet tutje për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *