AKSION I MADH POLICOR NË KUMANOVË – ARRESTIME, BASTISJE EDHE NË ZYRË NOTERIALE!
Që nga orët e para të mëngjesit, rrugët e Kumanovës janë mbushur me forca të shumta policore, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme po zhvillon një aksion të madh kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas informacioneve jozyrtare, aksioni po zhvillohet nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë Byrosë për Siguri Publike, me qëllim shkatërrimin e një grupi të organizuar kriminal, pjesëtarët e të cilit dyshohet se janë të njohur për policinë në Kumanovë.
Dyshohet se grupi për një periudhë të gjatë ka vepruar në Kumanovë dhe më gjerë, duke përdorur dhunë, kërcënime dhe shantazhe. Aktivitetet e dyshuara përfshijnë zhvatje, fajde, pastrim parash dhe përfitime të tjera nga veprimtari kriminale.
Sipas informacioneve jozyrtare, si organizator i dyshuar i grupit përmendet një person me nofkën “Shтuka”, ndërsa në grup dyshohet se janë të përfshirë edhe persona të tjerë nga Kumanova.
Aksioni nuk është kufizuar vetëm në lokacionet e personave të dyshuar. Nën hetim janë edhe një zyrë noteriale dhe një këmbimore, ku po verifikohen lidhjet e mundshme me aktivitetet kriminale që po hetohen.
Jozyrtarisht, gjatë kontrolleve të deritanishme janë gjetur para, automjete dhe dokumentacion.
Aksioni vjen pas një pune të gjatë operative dhe hetimore të policisë, në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa priten detaje të tjera nga institucionet kompetente.
Burimi: Informacione jozyrtare