Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim
Ahmeti: Kriminelët maqedonas, shqiptarë dhe serbë bashkëpunojnë, por politikanët dhe popujt jo!
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka tërhequr vëmendjen me një deklaratë gjatë një panel-diskutimi të organizuar nga Qendra Analitike “Abdylakim Ademi”, ku foli për rrezikun e drogës dhe krimit të organizuar në rajon.
Ahmeti theksoi se krimi nuk njeh kufij etnikë dhe se bashkëpunimi mes grupeve kriminale, pavarësisht përkatësisë kombëtare, është bërë një realitet në Ballkan.
“Droga nuk është rrezik vetëm për disa, por për të gjithë ne. Fatkeqësisht, sot kriminelët bashkëpunojnë mes vete, pa marrë parasysh përkatësinë etnike – kriminaliteti i tyre është multietnik”, deklaroi Ahmeti.
Ai u ndal edhe te mungesa e bashkëpunimit mes popujve dhe përfaqësuesve të tyre politikë, duke e cilësuar këtë si një nga tragjeditë e Ballkanit.
“Tragjedia është se popujt dhe politikanët që i përfaqësojnë – maqedonasit, shqiptarët dhe serbët – nuk arrijnë të bashkëpunojnë për të ndërtuar një Ballkan paqësor dhe një të ardhme më të sigurt për të gjithë ne”, u shpreh Ahmeti.