Ali Ahmeti i ashpër ndaj Kurtit: “Më lëndove mua dhe ushtarët e UÇK-së, dole në krah të Mickoskit”

Ali Ahmeti i ashpër ndaj Kurtit: “Më lëndove mua dhe ushtarët e UÇK-së, dole në krah të Mickoskit”

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me deklaratën e tij se gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti ka thënë se kjo deklaratë e ka prekur thellë, duke theksuar se nuk e konsideron vetëm si një qëndrim kundër tij personalisht, por si një goditje ndaj të gjithë atyre që kanë luftuar për të drejtat e shqiptarëve, veçanërisht ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

“Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, është shprehur Ahmeti.

Gjatë fjalës së tij, kreu i BDI-së ka kujtuar edhe sakrificën e dëshmorëve të luftës, duke përmendur në veçanti Afrim Kalanicën dhe nënën e tij, të cilën tha se e kishte parë pranë varrit të të birit në Sllupçan.

Ai ka ngritur pyetjen se për çfarë ranë dëshmorët, nëse sot vihet në pikëpyetje statusi zyrtar i gjuhës shqipe.

“Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare? Turp!”, ka deklaruar Ahmeti.

Më tej, Ahmeti ka akuzuar Kurtin se me këtë qëndrim ka dalë në krah të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ai ka treguar se tri herë ka kërkuar publikisht që Kurti të sqarojë deklaratën, por sipas tij, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Ahmetit, deklarata e kryeministrit kosovar është përdorur për javë të tëra në mediat televizive në Maqedoninë e Veriut si argument për të mbështetur pretendimin se gjuha shqipe nuk ka qenë zyrtare.

Në fund, kreu i BDI-së ka theksuar se deklarata e Kurtit ka shkaktuar, sipas tij, lëndim të madh te ish-pjesëtarët e UÇK-së, përfshirë edhe ata që jetojnë në Kosovë.

“Kjo më ka vrarë shpirtërisht. Kjo ka vrarë shpirtërisht çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, ka thënë Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *