46 kallëzime penale ndaj Aleksandar Vuçiqit nga viti 2013 deri në vitin 2026
Gjatë 13 viteve të fundit, ndaj Aleksandar Vuçiqit janë paraqitur gjithsej 46 kallëzime penale, sipas një liste të publikuar nga grupi “Studentët e Shumadijës”, e cila përfshin periudhën nga viti 2013 deri në tetor të vitit 2026.
Kallëzimet lidhen me një numër të madh aferash dhe çështjesh që kanë tronditur opinionin publik në Serbi, ndër të cilat janë rastet “Savamala”, “Jovanjica”, “Krušik”, “Kopernikus”, “Generalshtab”, si dhe shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Në mesin e kallëzimeve më të fundit janë ato të datave 29 dhe 30 tetor 2026. Njëri lidhet me dyshimet për nxitje të ndryshimit të dhunshëm të rendit kushtetues dhe shkaktim paniku, ndërsa tjetri me të ashtuquajturat “Sky komunikime”, ku përmenden dyshime për bashkim kriminal dhe tregti me ndikim, me lidhje të pretenduara me Darko Shariq.
Lista përfshin edhe kallëzime lidhur me faljen e 49 personave, rastin “Sarajevo Safari”, pretendimet për përdorimin e topit zanor gjatë protestës së 15 marsit 2025, si dhe vizitën e pacientëve nga Koçani në repartin e kujdesit intensiv, në prani të kamerave.
Kallëzimet e viteve të mëparshme trajtojnë edhe çështje që lidhen me Kosovën dhe Marrëveshjen e Brukselit, gjendjen e jashtëzakonshme gjatë pandemisë së COVID-19, tregtinë e armëve dhe pretendimet për lidhje të zyrtarëve të lartë shtetërorë me krimin e organizuar.
Sipas listës së publikuar, kallëzimi i parë daton nga prilli i vitit 2013, ndërsa më i fundit nga tetori i vitit 2026.
Duhet theksuar se paraqitja e një kallëzimi penal nuk nënkupton automatikisht fajësi. Bëhet fjalë për pretendime dhe dyshime që kërkojnë hetim dhe vlerësim nga organet kompetente. /Preshevacom