Vuçiqi distancohet nga Marrëveshja e Brukselit: “Nuk e kam nënshkruar unë, por Ivica Daçiqi!”
Një përplasje në Kuvendin e Serbisë mes Aleksandar Vuçiqit dhe deputetit të Listës Studentore, Fegja Dimoviq, ka rikthyer në qendër të debatit Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Gjatë debatit, Dimoviq e akuzoi Vuçiqin dhe Ivica Daçiqin se me këtë marrëveshje kanë dorëzuar institucionet serbe në Kosovë, duke e cilësuar atë si akt të tradhtisë kombëtare.
Vuçiqi iu përgjigj duke theksuar se Marrëveshjen e Brukselit nuk e kishte nënshkruar ai, por Ivica Daçiqi, kryeministër i atëhershëm i Serbisë.
“Unë nuk e kam nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, e ka nënshkruar Ivica Daçiqi, jo unë. Megjithatë, jam dakord me të, sepse në atë moment ishte zgjidhja më pak e keqe”, deklaroi Vuçiqi.
Në vitin 2013, kur u arrit marrëveshja, Vuçiqi ishte zëvendëskryeministër i parë dhe një nga figurat kryesore të pushtetit, ndërsa Daçiqi ishte kryeministër.
Gjatë përplasjes, Vuçiqi gjithashtu akuzoi pushtetin e mëparshëm se gjatë mandatit të tij 85 shtete e kishin njohur Kosovën, ndërsa pretendoi se politika e tij kishte arritur të siguronte tërheqjen e 28 njohjeve.
Debati u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ndërsa në një moment deputetit Dimoviq iu ndërpre mikrofoni pas përfundimit të kohës së caktuar për fjalën e tij.